Shikoje Boten Plot Informacion !

Fund dhunës ndaj grave dhe vajzave! Shpallen 3 fotografitë fituese të ekspozitës “Vështroje”

0 1

Nga Emanuel Smaka

Shoqata “Together for Life”, mbështetur nga UNDP dhe UN Women Albania, me fonde të qeverisë suedeze, shpallën 3 çmimet fituese të ekspozitës fotografike “Vështroje”, që synoi të sjellë gruan dhe vajzën shqiptare në fokusin e vëmendjes të të rinjve shqiptarë të apasionuar pas fotografisë.

Kjo ekspozitë u zhvillua në kuadër të projektit “Vështroje”, pjesë e Fushatës së Kombeve të Bashkuara “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, nën sloganin “Fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”.

Të pranishëm në eventin e ndarjes së çmimeve ishin: përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Giuseppe Belsito,  nëndrejtori i Liceut Artistik “Jordan Misja”, Hermon Madhi,  përfaqësuesi i Muzeut Historik Kombëtar, Ledio Xhoxhi, gazetari i njohur Arbër Çepani, dhe nxënës të shkollave të mesme nga e gjithë Shqipëria.

Fotografitë e të rinjve u prezantuan paraditen e së enjtes në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Nga 34 fotografi që u përfshinë në konkurs, u përzgjodhën 3 më të mirat nga një juri profesioniste.

I ftuar ishte Giuseppe Belsito, përfaqësues i UN Women në Shqipëri, i cili theksoi se dhuna me bazë gjinore nuk duhet të lejohet të ekzistojë në Shqipëri.

“Është e nevojshme që të keni respekt për shoqen, për nënat dhe të gjitha gratë që janë në jetën tuaj, dhe jo vetëm. Dhuna është diçka që mund të shkaktohet shumë lehtë, por ka pasoja shumë të rënda dhe afatgjata në jetën e personave që dhunohen, sidomos gratë. Jam shumë i lumtur që shoh të gjitha këto fotografi të bukura, prandaj e kam dhe shumë të vështirë të identifikoj se cilat duhet të fitojnë çmim. E rëndësishmja në këto foto të realizuara është se, krahas bukurisë, ato janë shumë kuptimplota  në mesazhet kundër dhunës ndaj grave”, u shpreh Belsito.

Nëndrejtori i Liceut Artistik “Jordan Misja”, Hermon Madhi gjatë fjalës së tij vërejti se të rinjtë nuk duhet të jenë indiferentë ndaj pabarazisë gjinore.

“Pjesëmarrësit në këtë konkurs kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe kanë sjellë një rreze drite në një fenomen ku shumica e shoqërisë shqiptare është indiferente. Ajo që më bën me së shumti përshtypje është se shumë njerëz janë indiferentë ndaj asaj që shohin çdo ditë. Po të jemi të gjithë së bashku, po të mos i mbyllim sytë përballë së keqes, ajo do të fillojë të reduktohet deri sa të mos ekzistojë më”, tha Madhi.

Për Arbër Çepanin, moderatorin e njohur, i cili ndoqi nga afër ekspozitën “Vështroje”, të drejtat e grave duhet të jenë të gjithëpranueshme, ndërsa ftoi të rinjtë të rrisin edhe më tepër zërin e tyre kundër dhunës me bazë gjinore.

“Kur flasim për gratë, kemi thënë gjithçka. Ku ka gra, ka gjithmonë më shumë finesë, më shumë inteligjencë. Është kënaqësi që ju shikoj kaq të rinj dhe po angazhoheni në këtë tematikë delikate për shoqërinë shqiptare. Duket sikur në Shqipëri situata nuk është edhe aq optimiste sa i përket respektimit të barazisë gjinore. Kur flasim për të drejtat e grave, duket nganjëherë sikur bëhen dallime, por nuk mund të themi se duhet t’u japim të drejta atyre. Gratë i kanë të drejtat që nga lindja dhe ne thjesht duhet t’i respektojmë këto të drejta”, përfundoi Çepani.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Muzeut Historik Kombëtar, Ledio Xhoxhi tha se ky institucion do të vazhdojë mbështetjen ndaj aktiviteteve të tilla që synojnë sensibilizimin kundër dhunës me bazë gjinore.

Koordinatorja e shoqatës “Together for Life”, Elena Beta shpjegoi gjithashtu se projekti është prezantuar në disa qytete të Shqipërisë me qëllim përfshirje sa më të gjerë të të rinjve.

“Më parë projekti “Vështroje” u prezantua në qytetet Shkodër, Kuçovë, Mirditë, Lezhë e Tiranë. Falënderojmë nxënësit e shkollave të rretheve si dhe nxënësit e Liceut Artistik të cilët përgjatë këtyre muajve na dhanë kaq shume nga arti i tyre”, tha Beta.

Në mbyllje të aktivitetit, juria e përbërë nga përfaqësues të fushës shpalli foton e Joana Selishtës fituese të konkursit fotografik “Vështroje”. Nxënësja e Liceut Artistik të Tiranës tha se secili prej pjesëmarrësve ka sjellë pak nga bota e tij përmes fotove.

“Është e rëndësishme që të flasim dhe jo të rrimë në heshtje përballë dhunës me bazë gjinore”, u shpreh fituesja.

Çmimin e dytë dhe të tretë e fituan nxënësit Mauro Zaçe dhe Klaudia Imami.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy ditë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar./ Shendeti.com.al

 

 

/Copyrights: WWW.ALBOZ.CO™®

Lini një përgjigje

Emaili juaj nuk do te publikohet.