Dashuri Dhe SeksFemraSeksi Dhe DashuriaStil

Çfarë është në të vërtetë dashuria?

Çfarë është në të vërtetë dashuria?

Kush nuk di asgjë, nuk do asgjë,

Kush nuk di asgjë, nuk kupton asgjë,

Kush nuk kupton asgjë, nuk vlen asgjë,

Kurse ai që kupton, edhe dashuron, edhe vrojton, edhe shikon,

Sa më shumë njohuri, aq më shumë dashuri,

Kush thotë se të gjitha frutat piqen,

Në të njëjtën kohë me luleshtrydhen, nuk e di fare ç’është rrushi.

                                                                                                                            Paracelsi

Gjithmonë më ka kuriozuar përgjigja e pyetjes së shtruar se çfarë është dashuria, ndonëse më është servirur kurdoherë me gjymtyrë fjalësh të përmbysura.

Kjo është një pyetje që nuk ka gjetur kurrë nje shpjegim shkencor, dhe ndoshta për këtë arsye fjala “dashuri” posedon veti hipnotizuese, por unë me një naivitet karakterizues do marr përsipër për të kuptuar nëse dashuria është art, apo thjesht një ndjesi që lind vetvetiu.

Përballë syve të shndërritshëm dhe zemrës që rreh, personalisht besoj se njerëzit ndahen në dy kampe, ose kategori, ose në gjë që mund t’ia vendosni ju vet emërtimin, përsa kohë që do gjejnë strehim.

Në kategorinë e parë, aty ku vlon më së shumti uria dhe etja për pakëz dashuri, gjenden personat që e shohin dashurinë si një ndjesi të këndshme, përjetimin e së cilës ia besojnë rastësisë, dhe nëse kjo e fundit do t’i japë një përqafim fatit, atëherë kjo ndjesi merr trajtën e asaj gjithëpushtueses.

Ndërsa në kategorinë e dytë, me një pakicë pjesëmarrjeje, gjenden ata persona të cilët e shohin dashurinë si kërkuese të punës dhe dijes.

Ajo çka përbën vërtetë çudi është se pavarësisht se po flasim për dy kategori që gjenden në skaj të njëra-tjetrës, mbizotëron një problem i përbashkët: fokusimi në mënyrën sesi mund të të duan, dhe jo sesi mund të dashurosh. Qenie egoiste deri në fund mbetet njeriu…dhe kur lakohet fjala dashuri, egoizimi shpaloset në mënyra nga më të ndryshmet.

Njëra rrugë, e cila has familjaritet tek gjinia mashkullore, është ajo e të pasurit pushtet e pasuri me aq sa ia lejon pozita e tij shoqërore.

Rruga tjetër, që përshkohet nga femrat, është përpjekja e të qenurit sa më tërheqëse, dhe kur flitet për përpjekjet e këtij lloji nuk merret parasysh vetëm kujdesja ndaj pamjes fizike por dhe ndaj komunikimit të ushtruar, dhembshurisë e vëmendjes së treguar ndaj palës tjetër.

Pra, duket se gjithnjë ngelet problem objekti, dhe jo aftësia e të dashuruarit dikë. Vështirësia qëndron pikërisht në gjetjen e një “objekti” që përmbush të tëra kriteret e mirërenditura në listën imagjinare, se të dashurosh…ahu, gjë e lehtë shumë!

Rrënjët e këtij qëndrimi duken se janë shfaqur në shkallët e zhvillimit të shoqërisë, ku mënyra sesi dy njerëz do të vendosnin të ndanin jetën e tyre sëbashku do të pësonte transformime galopante.

Në shumë kultura tradicionale, dashuria nuk shihej si një përjetim emocional që të udhëhiqte më pas drejt martesës, përkundrazi, këto të fundit bëheshin përmes marrëveshjeje familjare apo me ndërhyrjen e ndonjë mblesi. Pra gjithçka, deri tek nata e parë e martesës, ishte e përllogaritur dhe e mbështetur mbi arsyet e shoqërisë, pasi shoqëria e dinte fare mirë: dashuria do të trokiste në derë dhe do të të thoshte pas një periudhe të caktuar: Hape derën, erdha unë!

Por, ky koncept i dashurisë së një çifti do të gjente përmbysje në jetën e brezave të fundit të botës perëndimore. Edhe pse martesa sërish shihet si institucion dakordësie, në të njëjtën kohë nëpër sirtaret e ëndrrave gjendet edhe dashuria romantike dhe e lirë.

Dhe duket se pikërisht ambicia për të përjetuar dashurinë e lirë ka sjellë edhe pengesat për të përjetuar me të vërtetë ndjenjën e të qenurit i dashur, e të rënit në dashuri.

E gjithë kultura jonë është e bazuar në marrëdhënie të kornizuara të dhënies dhe marrjes, pra në idenë e shkëmbimit reciprok.

Ja, le të marrim një shembull  fare banal. Teksa gjendem përballë shkëlqimit të vitrinave të dyqaneve, mua personalisht më ndodh të dua të blej çdo gjë që më rrëmben shikimin, dhe kur rikthehem në planetin Tokë dhe e kuptoj që diçka e tillë nuk ndodh, më kaplon një trishtim i pamasë.

Kam përshtypjen që kështu funksionojnë marrëdhëniet në ditët e sotme. Një grua tërheqëse është për një burrë dhe një burrë tërheqës është për një grua një “objekt” të cilën ata duan ta blejnë, duan ta kenë…dhe në disa raste, me çdo kusht.

Sikurse e përmenda dhe pak më parë, kur themi ai/ajo tërheqës/e, mbiemri merr gjithnjë kuptimin e kërkesave të tregut.

Në shekullin e XX, një vajzë quhej tërheqëse kur pinte alkool e duhan, e cila paraqitej e fortë fizikisht por edhe e ndjeshme, ndërsa burri duhej të shfaqej këmbëngulës dhe ambicioz.

Në ditët e sotme duket se kriteret kanë ndryshuar. Tani një mashkull konsiderohet tërheqës nëqoftëse është i shoqërueshëm dhe i durueshëm ndaj teje dhe historive të tua melodramatike. Përpos kësaj, gjendja ekonomike e tij duhet të përshtatet me tënden, dhe pse jo, nëqoftëse do të paraqitej edhe më e mirë se e jotja, mund të ndodhë që t’ia vendosni vet unazën në gisht, e madje dhe t’i uleni në gjunjë dhe t’i propozoni.

Objekti i biznesit (mashkull/femër) duhet të jetë i përshtatshëm nga pikëpamja e vlerës së tij shoqërore e në të njëjtën kohë edhe të shfaqë dëshirën e tij ndaj vlerave që mund të ketë personi përballë. Vetëm kështu dy njerëz në ditët e sotme bien në dashuri me njëri-tjetrin, kur secili prej tyre e ndjen se ka gjetur objektin më të mirë në tregun e shitblerjes.

Kam dëgjuar shpesh herë të thuhet se për dashurinë nuk ke çfarë të mësosh, sepse është thjesht ajo që ndodh midis dy vetave të huaj kur njihen me njëri-tjetrin, papritur bëhen të afërt derisa bëhen një. (Një? Pra, dy persona i bie të kenë 10 gishta këmbësh?! Hmm…)

Në rregull, pa dashur të tregohem e ftohtë, kjo mund të tingëllojë diçka e bukur për njerëz që deri diku përpara kësaj njohjeje kanë qenë të mbyllur në vetvete, por një marrëdhënie e tillë vetëm nga natyra e saj e ka betejën e humbur me kohën.

Normalisht, askush nuk e kupton këtë në momentin e përjetimit, sepse emocionet të rrëmbejnë e të transportojnë në hapësirë dhe kohë, por gjatë marrëdhënies, që çifti fillon dhe njeh më mirë njëri-tjetrin, ndodh që afërsia e tyre të mos jetë më një mrekulli por thjesht një habitat grindjesh, zhgënjimesh e mërzish. Kjo është rruga që forca e pasionit instiktiv,  e parë si provë e forcës së dashurisë, njeh “ngordhjen”.

Sikurse thuhet se nga dashuria nuk ke çfarë të mësosh, ashtu thuhet edhe se të dashurosh është gjëja më e lehtë. Tani, të ishte aq e lehtë nuk besoj se qindra e mijëra histori dashurie do njihnin shembjen e tyre si kështjella prej rëre.

Nuk synohet të studiohen shkaqet e dështimit, sesa shmangia e tij. Dhe në funksion të këtij misioni, duhet pranuar njëherë e mirë se nga dashuria ke çfarë të mësosh, se dashuria nuk është aspak e lehtë (sikurse na shitet nëpër filma e këngë romantike), dhe mbi të gjitha duhet thënë se: DASHURIA ËSHTË ART, ashtu sikurse është edhe vet jeta. Se në ç’kategori të artit do të donit ta fusnit ju, kjo është zgjedhje personale dhe tërësisht e lirë.

Që të zotërosh artin (muzikën, pikturën,skulpturën,baletin etj.) duhet të kalohen një sërë etapash, që përmblidhen me teorinë dhe praktikën, të cilat i bashkëngjitet dëshira se dashurisë nuk duhet t’ia kalojë asgjë për nga rëndësia.

Pikërisht me këtë zgjidhje duket se parashtrohet dhe arsyeja e dështimeve të historive të dashurisë. Edhe kur kërkohet me çdo kusht një histori triumfuese me fund të lumtur, ndodh që njerëzit përpiqen shumë pak për ta jetuar këtë lloj arti. Sepse sado të etur të jemi për pikat e dashurisë, fama,suksesi, pasuria dhe pushteti janë ato që na vjelin energjitë, dhe kështu harrohet se në bibliotekën e jetës kërkohet kohë për të mësuar artin e të dashuruarit.

Ndoshta, ndoshta…ja përse kurrë nuk është fituar një përgjigje strikte ndaj karakterit të dashurisë, sepse është sikurse arti…nuk ka nevojë për fjalë, por për vepra!

s.a/dita

 

 

 

Burimi : www.alboz.co

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Close