Take a fresh look at your lifestyle.

Nxënësit heshtën, mësuesit dolën nga klasa kur nisa të flas për seksin…

0 17

Nxënësit heshtën, mësuesit dolën nga klasa kur nisa të flas për seksin…

Dr. Adem Harxhi

Para pak vjetësh, në një nga shkollat private të Tiranës, më thirrën të bisedoja me nxënësit për problemet e seksit. Në klasë kishte nxënës dhe shumë mësues të shkollës. Vendosa ta filloja bisedën me pyetje nga nxënësit. Askush nuk pyeti. U thashë t’i shkruanin pyetjet në copa letre pa vënë emrin. U mblodhën rreth 100 pyetje.

Kur fillova t’u përgjigjem pyetjeve të tyre, mësuesit, një-nga-një dolën nga klasa. Pas kësaj biseda u bë më interesante edhe me pyetje direkte. Kjo më bindi se nxënësit nuk flasin dot hapur për problemet e seksit në prani të mësuesve dhe se mësuesit, gjithashtu, nuk flasin dot hapur me nxënësit për këto probleme. Nga pyetjet e nxënësve të asaj shkolle, kuptohej, se shumë ata ishin përfshirë në marrëdhënie të mirëfillta seksuale, ose ishin gati t’i fillonin ato.

Kur shkollat, universitetet, mediat, shteti, prindërit dhe aktivistët fetarë, tregohen të vendosur, që ta ndrydhin kënaqësinë tuaj seksuale, ato shkelin të drejtën tuaj për të bërë zgjedhjet e duhura në këtë drejtim. Zgjedhjet tuaja seksuale  duhet të mbështeten në informimin seksual sa më të mirë.

Mbani mend:“Seksi nuk është ipso facto i rrezikshëm për të rinjtë”. E përsëris: “Seksi në vetvete nuk është i rrezikshëm për ju”, por me plot rreziqe për ju, janë ato përpjekje që bëhen gjasme për t’u mbrojtur ju. Janë përpjekjet që bëhen për të ndaluar informimin e shëndetshëm për seksin dhe seksualitetin tuaj.

Censura që u bëhet konsiston t’u lejë pa njohuritë e nevojshme seksuale. Kufizimi i informacionit dhe mungesa e dialogut të hapur, nuk u mbron. Ato vetëm shtojnë rrezikun për shëndetin tuaj mendor dhe fizik. Ju duhet të kërkoni sa më shumë informacion të vlefshëm seksual.

Represioni seksual, ashtu siç e kam theksuar disa herë, inkurajon violencën. Nga zelli i madh për të mbajtur nën kontroll aktivitetin seksual të adoleshentëve dhe të rinjve, disa burokratë dhe figura autoritare, nuk e kuptojnë se është, pikërisht, seksi i shëndetshëm, ai që e shmang violencën. Ata, në mënyrë krejt të gabuar mendojnë, se seksi dhe violenca janë njësoj të këqija.

Mos lejoni t’u censurojnë mendjen

Ligjet për seksin, në çdo shoqëri, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mësimet e fesë të kthyera në ligje. Kjo tregon qartë se, akoma, nuk është bërë ndarja e plotë e fesë nga shteti.  Fetarët e të gjitha sekteve, e përcaktojnë seksin para martesës si të dëmshëm dhe subversiv. Kjo nuk është e vërtetë. Dëshira seksuale e përgjegjshme, është e shëndetshme dhe normale. Ajo jep forcën për të shkuar drejt dashurisë dhe kënaqësisë plot  pasion. Është më mirë të përfitoni sa më shumë nga kënaqësia, se sa të dëgjoni ata që e etiketojnë dëshirën tuaj për seks si mëkat, ose si diçka që duhet t’i trembeni.

Censura është formë e abuzimit mendor. Ajo më shumë synon të indoktrinojë,  se sa të edukojë. Censura për seksin u ngjan mendimeve të policit në librin “1984”, të George Orwellit, libër të cilin shpresoj ta keni lexuar.

Sa më shumë njohuri shkencore të keni lidhur me seksin, aq më i vështirë do të bëhet censurimi i mendjes tuaj. Si mund të kenë shkollat tona kredibilitet,  kur refuzojnë të diskutojnë për seksin, në një kohë që shumë nxënës të tyre janë të përfshirë në marrëdhënie seksuale? Shkollat nuk japin asnjë informacion shkencor, nga fusha e seksit. Edukatorët, administratorët dhe drejtoritë e shkollave, duhet të kuptojnë, se edukimi seksual është jo vetëm shumë i domosdoshëm, por edhe se ai nuk mund të arrihet pa informim shkencor të kujdesshëm.

Juve u duhet seks-edukim instruktiv, që të mësoni gjithçka për seksin dhe si t’i evitoni pasojat e tij negative. Juve nuk duhet seks-edukim që t’u trembë me AIDS-in, me sëmundjet  infektive seksuale dhe me shtatzënitë e padëshiruara. Ky lloj edukimi seksual, që u mëson të hiqni dorë vullnetarisht nga seksi, ose siç quhet ndryshe, abstinenca, nuk është as real dhe as i zbatueshëm. Mbi të gjitha, ai është i rrezikshëm, sepse u lë të papërgatitur. Ju meritoni edukim seksual objektiv, jo pseudo edukim moralist.

Nuk është me vend që nxënësit e klasave të pesta dhe të gjashta, të mësojnë për AIDS-in, përpara se të mësojnë çfarë është vetë seksi. Kjo është një mënyrë edukimi shkatërruese. Mësimi i parë i keq, që nxënësit  marrin prej mësuesit në këtë lloj edukimi, është t’i tremben seksit, sepse ai mund të shkaktojë AIDS-in dhe vdekjen. Ta fillosh seks-edukimin me rreziqet e seksit, do të thotë të kufizosh njohuritë seksuale të nxënësve, për rrjedhojë, të  kufizosh mundësitë e tyre për kënaqësi seksuale të shëndetshme. Ky lloj edukimi seksual ngulit tek nxënësit, për kohë relativisht të gjatë, mendimin se  seksi është i rrezikshëm, ndaj dhe është i keq.

Po qe se ju do të bënit edukim-seksual të vërtetë, instruktiv, me informacion shkencor, sot, nuk do të kishim kaq shumë shtatzëni të padëshiruara dhe për pasojë, kaq shumë aborte. Me siguri, më pak nga ju do të infektoheshin me sëmundje infektive seksuale. Më pak nga ju, do të vuanin nga lëndimet psiko-emocionale. Dhe..pa asnjë dyshim, më pak nga ju do të humbisnin vetë-besimin dhe do të kishin më pak dilema seksuale.

Fatkeqësisht, edhe në ato shkolla ku pretendohet se behet seks-edukim,  atje më shumë bëhet biologji, më shumë teori, se sa fakte dhe instruktim. Programet e seks-edukimit, duhen të jenë objektive dhe jo moralizuese. Kur shkolla do të arrijë ta bëjë këtë dhe kur prindërit ta përkrahin aktivisht seks-edukimin instruktiv, adoleshentët e rritur ( 17-18 vjeçarët), do të jenë më të përgatitur, më të sigurtë dhe më të përgjegjshëm për ta gëzuar seksin, përfshi edhe interkursën seksuale. Sot, shumë nga nxënësit e të gjitha klasave të gjimnazit, bëjnë interkursë.

Ata janë përfshirë në këto marrëdhënie seksuale të papërgatitur, sepse nuk kanë bërë edukimin seksual të nevojshëm.  Këtë e them me bindje, sepse pyetjet që më bëjnë shokët tuaj të përfshirë në jetën seksual aktive, reflektojnë padituri shqetësuese për seksin dhe për anatominë e tyre gjenitale. Kur lexoj pyetjet tuaja, më dridhet zemra kur mendoj se ju bëni seks me kaq pak njohuri që keni. Ju duhet të kuptoni se e rrezikshme për ju është mosdija, jo marrëdhënia seksuale në vetvete. Zgjedhjet seksuale, që i  bëni pa patur informim të mirë seksual, janë shkaku i sëmundjeve infektive seksuale dhe i shtatzënive të padëshiruara, që janë kaq të shpeshta midis jush.

Sa herë bëhet fjalë për edukimin seksual, shpesh dëgjohen shprehjet: “Jo seks”, “Seksi është i rrezikshëm”. Ky lloj seks-edukimi, që kudo në botë e quajnë “Programi vetëm abstinencë”, synon t’u mbushë mendjen me dogmën fetare, e cila dënon masturbacionin, abortin, homoseksualizmin dhe kontracepsionin. Me këtë lloj seks-edukimi, arrihet vetëm dëmtimi i shëndetit tuaj seksual.  Për ta bërë më të qartë këtë, po sjell një shembull nga Amerika.

Në Teksas, për seks-edukimin në shkolla, lejohen tekste që inkurajojnë abstinencën ndaj seksit dhe nuk japin informacion seksual esencial dhe të kujdesshëm. Për ironi, në Teksas, numri i lindjeve nga adoleshentet 15-17 vjeçare, është më i lartë nga çdo vend tjetër në Amerikë. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, afërsisht, gjysma e rasteve me sëmundje infektive seksuale në Teksas, janë në 15-24 vjeçarët. (Bethany Tomas, MSNBC)

Librat me të cilat bëhet seks-edukimi në shkollat tona, kanë njohuri të pamjaftueshme dhe janë të censuruara, për rrjedhojë, nxënësit mbeten në errësirë, lidhur me punët e seksit. Për të bërë edukim seksual të gjimnazistëve, mësuesit që e bëjnë këtë lëndë, duhet të trajnohen  mirë dhe të jenë të aftë të ofrojnë seks-edukim edhe për prindërit. Një mësues, ose një infermiere, që jep mësime të shkurtra  për AIDS, dhe u thotë nxënësve të mos bëjnë seks deri në martesë, nuk ofron seks-edukim real. Kjo është e pamjaftueshme dhe ky lloj seks-edukimi i bën të pabesueshëm edukatorët e keqinformuar.

Shkollat publike dhe private nuk janë të vetmet burime për edukim seksual të përgjegjshëm. Media, përfshi internetin, ka rol të rëndësishëm. Në internet ka shume webe seksuale pozitive. Atje publikohen rezultatet e studimeve për seksin dhe bëhen komente  për shëndetin seksual. Këto materiale duhet të jenë një ndihmë e madhe, që ju të bëni zgjedhjet tuaja të përgjegjshme. Seksi në lajmet dhe emisionet televizive, duhet shfrytëzuar si një mundësi për të hapur diskutime për seksin, me prindërit dhe me shokët. Shfrytëzojini oportunitetet!

Shumë institucione i shtrembërojnë dukshëm, faktet shkencore lidhur me efektivitetin e kondomeve. Këtë e bëjnë jo pa qëllim. E bëjnë, sepse duan t’u frikësojnë. Unë nuk jam dakord me këto gënjeshtra, lidhur me seksin më të sigurtë. Këto institucione, përpiqen ta shtrembërojnë të vërtetën, lidhur me seksin e adoleshentëve.

Kur disa institucione, ndër to edhe ato fetare, përpiqen t’u ndalojnë përdorimin e kontracepsionit, të kontracepsionit urgjent dhe të abortit, ato përpiqen të  censurojnë trupin tuaj. Këtë e bëjnë edhe disa prindër dhe të moshuar, që i pengojnë të rinjtë t’i përdorin lehtësisht këto metoda mbrojtëse.  “Nuk është vetëm aborti nën goditje. Edhe kontracepsioni i urgjencës edhe  kontraceptivët oralë, kundërshtohen me argumente hipotetike, pavarësisht të dhënave shkencore, që vërtetojnë të kundërtën”.

Censurimi i së vërtetës, është i rrezikshëm për shëndetin dhe jetën tuaj. Si qytetarë, ju meritoni edukim seksual, totalisht, instruktiv. Vetëm kështu, ju do të jeni në gjendje të zgjidhni e të provoni një jetë seksuale të lumtur dhe të shëndetshme. Edukimi i vërtetë seksual, është mënyra e vetme dhe më e sigurtë, që juve do t’u largojë edhe nga pornografia e rëndë.

 

Burimi : www.alboz.co

Loading...