Take a fresh look at your lifestyle.

Për vajzat që ndjehen keq me gjoksin

0 25

Për vajzat që ndjehen keq me gjoksin

Dr. Adem Harxhi

Shumë vajza, shqetësohen nga mënyra si e ndjejnë dhe si duket trupi i tyre. Ato i shqetëson zgjimi i tyre seksual. “Supermodelet” e revistave dhe të filmave, kanë krijuar tek ato imazhin e ashtuquajtur ”ideal” për pamjen e tyre. Ato mendojnë se nuk duken mirë, kur e krahasojnë trupin e tyre me këto modele.

Kjo, i çon ato në probleme shumë serioze. (Sot, ky fenomen haset edhe tek djemtë dhe është një shqetësim në rritje.) Ato duhet të dinë se kjo nuk është e vërtetë. Duke menduar kështu dhe duke e krahasuar veten me këtë “Ideal”, ato  vetëm rëndojnë veten e tyre. Bota është e bukur sepse gjërat brenda saj ndryshojnë. Kush ndjehet keq me veten le të marrë kurajën të kërkojë ndihmë, përpara se gjërat të bëhen më keq.

Si zhvillohen gjinjtë ?

Rritja e gjinjve është shenja më e hershme që tregon se puberteti filloi tek vajza. Fatkeqësisht, në këtë moment, ato nuk kanë njeri me të cilin të krahasohen (vetëm, po të kenë një motër binjake), por ato duhet të dinë  si zhvillohen gjinjtë e tyre.

Duhen pesë vjet që gjinjtë të zhvillohen plotësisht. Në fillim, rriten thumbat dhe janë ato, që bien të parat në sy. Areola, ose zona rreth thumbave, errësohet. Do të formohen “sythat e gjinjve”. Ky emër, m’u duket si më i përshtatshmi, për të treguar se vajza në këtë moshë është si një lule në rritje. “Sythat”, janë si nyje të vogla prej indi. Brenda tyre sythat kanë tubëzat e qumështit dhe ind dhjamor. Ato tentojnë të dalin para, duke shtyrë dhe tendosur lëkurën e gjinjve.

“Sythat”, tek disa vajza, fillojnë të duken që në moshën tetë, ose nëntë  vjeç, ndërkohë, që vajza të tjera, mund të mos kenë “sytha” edhe kur janë trembëdhjetë vjeç. Gjinjtë, në fazën e sythit, janë si gjëndra të forta dhe shumë delikate. Vajzat në këtë kohë bëjnë mirë të veshin kanatjere. Kjo do të  mbrojë gjinjtë që janë duke u rritur, prej goditjeve dhe gërvishtjeve që janë shumë të dhembshme. Ndonjëherë, kur vajza ka të ftohtë ose është seksualisht e eksituar, thumbat forcohen dhe dhëmbin. Këto nuk janë dhimbje të lehta që duhet të konsiderohen normale.

Faza e “sythit”, zgjat gjashtë muaj deri një vit. Pas kësaj gjiri fillon të mbushet dhe rrumbullakoset. Qelizat dhjamore dhe kanalëzat e qumështit, që zhvillohen brenda gjinjve, bashkohen me thumbat si telat e diskut të biçikletës (shiko figurën nr.2). Kanalëzat e qumështit bëhen gati të prodhojnë qumësht. Prej këtij momenti, vajza është e aftë të ushqejë me gji një fëmijë, po qe se vendos ta ketë atë.

Gjinjtë, në vajza të ndryshme, zhvillohen me shpejtësi të ndryshme. Por, edhe tek e njëjta vajzë, në faza të ndryshme të rritjes së saj, gjinjtë zhvillohen me shpejtësi të ndryshme.

Nuk ka muskuj brenda gjinjve dhe nuk ka arsye që vajzat të bëjnë ushtrime për t’i zmadhuar ose zvogëluar gjinjtë. Shumë vajza dhe gra e kanë njërin gji më të madh se tjetri. Duhen pesë vjet që gjinjtë të zhvillohen plotësisht dhe gjatë kësaj periudhe ato bëhen me madhësi të njëjtë. Ka disa vajza që edhe ndryshimi fare i vogël në madhësinë e gjinjve u duket shumë i madh dhe shqetësohen. Këtu nuk ka arsye për shqetësim. Kjo është krejtësisht normale dhe askush tjetër, veç vajzës, nuk do ta verë re këtë ndryshim. (A e keni dalluar ju që njëra nga shoqet klasës  e ka njërin gji më të madh se tjetri? JO)

Kur gjinjtë janë formuar, varet nga vajza nëse do të veshë, ose jo  një mbajtëse (sutjen),. Mbajtëset janë të mira, sepse nuk i lënë gjinjtë të kërcejnë kur ju ecni, ose vraponi. Ato mbrojnë thumbat e ndjeshëm, prej ngacmimit të teshave. Shumica e vajzave dhe grave, veshin mbajtëse. Disa të tjera, nuk veshin. Kjo është zgjedhja e tyre. Është mirë që vajzat të mësojnë si zgjidhet numri i mbajtëses që u duhet. Ato shiten me numra dhe germa të ndryshme.

Ja dhe diçka tjetër me rëndësi: Sapo gjinjtë fillojnë të rriten, vajzat duhet t’i vetë-ekzaminojnë ato për kancer të gjirit. Në këtë moment të jetës së tyre, ato nuk do të gjejnë gjëndra kanceroze; por do të formojnë zakonin që t’i vetë-kontrollojnë automatikisht më vonë kur kjo do të jetë e domosdoshme.

Kujdesi për thumbat!

Rrjedhje nga thumbat, normalisht, nuk duhet të ketë. Kjo ndodh kur gruaja është në muajt e fundit të shtatzënisë, ose kur ajo ushqen fëmijën me gji.

Vajzat që kanë rrjedhje nga thumbat duhet të mendojnë se është prishur ekuilibri hormonal në trupin e tyre. Në këtë rast vajza duhet të shkojë tek doktori, i cili do të gjejë arsyen e rrjedhjes.

Ashtu si gjinjtë edhe thumbat, kanë forma dhe madhësi të ndryshme. Ato mund të jenë rozë, kafe, ose diçka në mes tyre. Njëzetepesë përqind e vajzave dhe grave, i kanë thumbat të kthyera nga brenda. Gratë me të tilla thumba (invert), janë të afta t’i ushqejnë fëmijët me gji. Vajzat me thumba invertë, zakonisht, lindin kështu, por ndodh që edhe gjatë jetës thumbat të kthehen nga brenda. Vajzat që kanë thumba të kthyer nga brenda duhet të bëjnë kujdes që t’i kthejnë ato nga jashtë dhe të lajnë majat e tyre kur bëjnë dush. Po të mos veprojnë kështu thumbat mund të infektohen sepse lëkura  e tyre është shumë delikate. Ndodh, që kur një vajzë me thumba invertë ka ftohtë ose është e eksituar seksualisht, thumbat dalin përpara.

Kur thumbat ndryshojnë, vajzat shqetësohen. Nuk duhet shqetësuar kur ato duken shumë të mëdha,  e as kur duken  shumë të errëta. Në këto raste thumbat zhvillohen normalisht dhe vajzat duhet të mësohen me pamjen e tyre. Kur vajza ndjen se thumbat e saj bien vërtet në sy, le të veshin mbajtëse (sutiene) të zeza ose të përdorin diçka tjetër si maskim. Në verë, mund të veshin rroba-banje që i fshehin thumbat. Nuk është mirë të vendoset leukoplast ose “Band-Aid”, sepse lëkura e thumbave është shumë delikate. Imagjinoni procesin e dhimbshëm të shkuljes së “Band-Aid-it”

Rreth thumbave, mund të ndodhë të ketë pak flokë dhe disa të ngritura të vogla, që janë folikulat e flokëve (vendi ku rriten flokët). Prania e tyre është krejt normale. Po qe se ato shqetësojnë le të shkulen me piskatore. Por duhet ditur se kjo është me shumë dhimbje. Kurrë dhe për asnjë arsye nuk duhet lejuar rruajtja  dhe depilimi i thumbave. Kjo është procedurë me shumë dhimbje dhe mund të shkaktojë dëmtime në lëkurën shumë delikate të thumbave.

Në qoftë se para pasqyrës  gjinjtë duket shumë të mëdhenj, vajza bën mirë të veshë një mbajtëse sportive (nga ato që përdoren ne palestër) dhe do të ndjehet më mirë. Kur gjinjtë janë shumë të rëndë, vajza do të ndjejë dhimbje në shpinë dhe lidhëset e mbajtëseve do të lenë shenja në shpatullat e saj. Në këtë rast, është mirë që vajza të pakësojë disa kilogram nga pesha, ose të kryejë një operacion për të zvogëluar gjinjtë. l.

Në qoftë se vajza është më e vonuara në klasë, lidhur me shpërthimin e “sythëve” dhe e ndjen veten si një “djalë”, bën mirë të mos shqetësohet. Nuk duhet panik. Gjinjtë e vegjël janë po aq tërheqës dhe seksi, sa dhe gjinjtë e mëdhenj. Po qe se kjo nuk e kënaq vajzën, ka në shitje mbajtëse dhe rroba-banje me shumë shtresa, që i tregojnë gjinjtë më të mëdhenj. Kirurgjia, për të zmadhuar gjinjtë del e hyn në modë vazhdimisht, por rreziqet (përfshi infeksionet dhe shenjat që mbeten), duket se i kalojnë përfitimet. A dëgjuat për silikonet e Francës këto ditë?!!!

Në fund të fundit, gjinjtë, njësoj si flokët, të drejtë ose kaçurrela, janë “lotari”. Vajzat nuk duhet të dëshpërohen pse kanë “humbur” në lotarinë e gjinjve. Në të vërtetë, ato asgjë nuk kanë humbur. Gjinjtë, pësojnë ndryshime fizike të dukshme gjatë pubertetit dhe vajzat do të kalojnë patjetër nëpër këto ndryshime. Kur puberteti të ketë mbaruar, ato me siguri do të jenë mësuar me gjinjtë e tyre.

Grave dhe vajzave, që drejtohen tek suplementet bimore për të rritur gjinjtë dhe të konkurrojnë me Pamela Andersonin, u them: Nuk do ta arrini dot atë që shpresoni!.

Nuk ka të dhëna shkencore që të tregojnë se këto prodhime janë efektive. Përveç kësaj, ato janë shumë të shtrenjta, dhe unë nuk do të dëshiroja të shikoja vajza e gra që i shpërdorojnë paratë, që me shumë vështirësi i fitojnë. Një furnizim mujor kushton rreth 100 dollarë.

Por, veç humbjes së parave, ka edhe shumë probleme shëndetësore afat-gjata, që u ngjajnë efekteve të hormonit estrogjen. Kjo më shqetëson akoma më shumë. Unë shqetësohem se një nga efektet e largëta të suplementeve që ngjajnë me estrogjenin, është rritja e rrezikut për kancer të gjirit. Në literaturë ka shumë përbërës që rekomandohen si suplemente dietetike dhe që konsiderohen si “rritës të gjinjve”. Të tilla janë: cohosh i zi, dong quai, hops, fennel, kava, saë palmetto, chaste-tree berry dhe shumë të tjerë.

Deri sot nuk ka asnjë provë klinikën për efektet e prodhimeve  bimore që zmadhojnë gjinjtë. Nuk ka gjasa që ndonjë nga këto prodhime që cituam më lart( në qoftë se, vërtet, i përmbajnë lëndët që shkruhen në etiketë ), të bëjë rritjen e gjinjve. Madje, disa prej këtyre bimëve, kanë efekte toksike.  Është vërtetuar se bima kava është lëndë toksike për mëlçinë.

Doktorët, kudo në botë, nuk këshillojnë që gratë të përdorin substanca farmakologjikisht aktive dhe të rrezikshme, për të rritur gjinjtë.

Do të dëshiroja shumë që vajzat dhe gratë t’i harxhonin energjitë e tyre për të përmirësuar e rritur besimin tek vetia dhe tek trupi që kanë. Reklamat kanë mbushur dheun për këto prodhime dhe vajzat e gratë e reja, janë shumë të interesuara t’i blejnë këto produkte. Kujdes! Ky është marketing, nuk është mjekësi.

 

Burimi : www.alboz.co

Loading...