Dashuri Dhe SeksFemraSeksi Dhe DashuriaStil

Pse 2% e femrave janë biseksuale (dhe disa mendime mbi homoseksualizmin shqiptar)

Pse 2% e femrave janë biseksuale (dhe disa mendime mbi homoseksualizmin shqiptar)

Dr. Adem Harxhi

Edhe pse ka të dhëna që flasin për faktorë biologjikë në shfaqjen e homoseksualizmit, deri sot nuk është zbuluar një gjen homoseksual. Sipas statistikave më të besuara rreth 2% e të gjithë femrave janë biseksuale. Ju  duhet ta pranoni faktin, se rreth jush ka edhe njerëz që janë ndryshe nga ju. Por nuk ka asnjë arsye që një gay, lesbiane ose biseksual të jetë më krenar se një heteroseksual. Lidhur me martesat legale midis çifteve të të njëjtit seks, më duket se tradita dhe kultura jonë, akoma, nuk është e përgatitur ta pranojë këtë.

 

Homoseksualizmi dhe homofobia janë tema që vazhdimisht krijojnë debate dhe keqkuptime. Para disa ditësh në shtypin e përditshëm, kishte një diskutim për këto probleme. Me dëshirën që ju, miqtë e mi të rinj, të dini të orientoheni më mirë në këtë diskutim, i kthehem edhe një herë kësaj teme.

Ju  duhet ta pranoni faktin, se rreth jush ka edhe njerëz që janë ndryshe nga ju. Që ta pranosh dhe ta duash veten ashtu siç  je, duhet të kesh fituar vetë-besimin. Të rinjtë gay, lesbiane, dhe biseksuale, e kanë më të vështirë rrugën që duhet të bëjnë për të njohur veten. Kjo është arsyeja pse shokët e tjerë rreth tyre, ushqejnë ndjenja homofobike ndaj tyre.

Çdo ditë bëhen komente negative për këdo që nuk është 100% heteroseksual. Këto komente negative, zakonisht, i bëjnë homofobët. Urrejtja dhe intoleranca detyruese e homofobëve ndaj gay-ve, buron nga frika që ata ndjejnë, se mos edhe vetë janë homoseksualë.  Askujt nuk i lejohet të përdorë etiketa, që synojnë të poshtërojnë ata që janë ndryshe. Njerëzit  e shëndetshëm dhe që ndjehen të sigurtë, nuk i poshtërojnë të tjerët, nga që janë të ndryshëm. Ata nuk shqetësohen, pse të tjerët i akuzojnë se mbrojnë gay-të, lesbianet dhe biseksualët.

Shembuj të sjelljeve diskriminuese ndaj gay-ve gjenden në media, në fe dhe në ligj. Fatkeqësisht, disa fe i shikojnë gay-të dhe lesbianet  si mëkatarë.  Media, shpesh, etiketon keq këdo që është i ndryshëm. Minoritetet kanë shumë vite që e provojnë këtë padrejtësi.

Homofobia, që shkakton dhunën dhe keqtrajtimin e gay-ve, madje, edhe vrasjen e tyre, duket hapur në shoqëritë ku diskriminohen homoseksualët. Gazetat, kudo në botë, raportojnë shembuj tronditës të dhunës homofobike. Por, shumë krime homofobike mbulohen dhe kurrë nuk shfaqen në media ose në gjyq. Ju, me siguri keni dëgjuar për studentin e Rutger University, që në pranverë të vitit 2011 u hodh nga ura George Washington në New York. Ai u turpërua nga që shokët e panë të përfshirë në seks homoseksual.

Pse ekziston homofobia? Shkak i homofobisë është qëndrimi kundër-gay i pjesës dërmuese të shoqërisë. Por këtu, nuk duhet të lëmë pa thënë se edhe “Marshimet e krenarisë gay”, nuk sjellin ndonjë të mirë. Nuk ka asnjë arsye që një gay, lesbiane ose biseksual të jetë më krenar se një heteroseksual.

Seksualiteti, orientimi seksual dhe preferencat seksuale, janë pjesë e personalitetit të njeriut dhe gjithkush vepron sipas preferencave dhe mundësive të tij. Gjithkush vepron sipas dëshirës dhe nuk ka arsye që ata vetë ose të tjerët, të duartrokasin zgjedhjen e tyre. Çiftet me gjini të njëjtë kanë të drejtën, por aspak privilegjin, ta duan njëri-tjetrin. Kjo është njësoj si dhe për çiftet me sekse të ndryshme. Të gjithë, hetero ose homoseksualë, i ndjejmë njësoj nevojat emocionale dhe seksuale, për të qenë të lirë dhe të dashuruar.

Shumica nga ju janë heteroseksualë. Sipas statistikave vetëm 2% e njerëzve janë homoseksualë. Ka disa vende ku kjo shifër  raportohet më e madhe.  Sipas një statistike amerikane të vitit 2002; 11.5% e grave dhe 6.2% e burrave të moshës 18-44 vjeç, kanë kryer disa kontakte seksuale me të njëjtin seks. Sipas një anketimi tjetër të vitit 1992, vetëm 4% e grave dhe 4.9% e burrave, kishin kryer kontakte të tilla homoseksuale. (Associated Press, MSNBC, Shtator 15, 2005; Tamar Lewin, New York Times 2005).

Nga kjo statistikë shihet qartë se në dhjetë vjet, kontaktet homoseksuale të grave janë trefishuar, ndërsa për burrat, rritja e kontakteve homoseksuale është më e vogël.

Ju dëgjoni zëra që u thonë se orientimi i juaj seksual nuk është zgjedhja e juaj, por është e lindur. Juve u thuhet, gjithashtu, se ju nuk mund ta ndryshoni orientimin tuaj seksual gjatë jetës.  Unë mendoj se kjo nuk është plotësisht e drejtë, për këto arsye:

  • Edhe pse ka të dhëna që flasin për faktorë biologjikë në shfaqjen e homoseksualizmit, deri sot nuk është zbuluar një gjen homoseksual.
  • Disa homoseksualë, kur detyrohen nga presioni i shokëve, e ndryshojnë orientimin e tyre homoseksual.
  • Kush dëshiron dhe ka vullnet të heqë dorë nga praktikat homoseksuale, mund ta arrijë këtë me sukses.

Këto fakte tregojnë, se faktori biologjik nuk është i vetmi që  përcakton homoseksualitetin, por ka edhe faktorë të tjerë socialë e edukativë.

Rritjen e numrit të lesbianeve, shumë autorë, e shpjegojnë me këto dy arsye:

  • Tendenca në rritje për ta bërë lesbianizmit modë.
  • Pasojë e përpjekjeve feministe që synojnë t’u thotë burrave, se edhe për seks nuk ua kemi nevojën.

Sipas statistikave më të besuara rreth 2% e të gjithë femrave janë biseksuale (National Center for Health Statistics ).

Të rinjtë, për të kuptuar orientimin e tyre seksual, ndonjëherë, u duhen vite të tëra. Shumë pyetje dhe komente që bëjnë ata lidhur me seksualitetin, shprehin konfuzionin  që ata kanë lidhur me identitetin e tyre seksual. Konfuzioni vjen nga që shoqëria është e mbyllur dhe nuk i pranon, akoma, gay-të dhe lesbianet. Të rinjtë janë, akoma, në procesin e njohjes së vetes. Ata janë duke zbuluar  preferencat e tyre seksuale dhe ky është një proces krejt normal. Rrugëtimi i tyre seksual shoqërohet edhe me fantazi dhe eksperimentime me seksin e njëjtë. Kjo është normale për adoleshentët. Ata janë në kërkim të vetes dhe dëshirojnë të eksperimentojnë.

Homoseksualiteti është subjekt i komplikuar. Identiteti seksual i të rinjve është përzierje e dëshirave, e fantazive dhe sjelljeve të tyre seksuale. Të jesh gay, lesbiane, biseksuale, ose heteroseksual është një gjendje mendore, po aq sa dhe  një sjellje seksuale. Konfuzioni, lidhur me preferencat tuaja seksuale rritet, nga përpjekja që ju bëni për të gjetur për veten dhe për të tjerët një vrimë pëllumbi të caktuar. Kjo vjen nga tendenca që ne kemi, për  t’i klasifikuar sjelljet e njerëzve si ekstreme dhe të kundërta.

Ato pak fantazi që kanë disa nga ju, për të bërë seks me shokët e shoqet e së njëjtës gjini, flasin për  dëshirën që ata kanë për të eksperimentuar seksualisht. Kjo, kurrsesi nuk do të thotë se ata janë gay ose lesbiane.  Po qe se nuk veprojnë sipas fantazive që kanë tani, ata do ta kenë të vështirë të përcaktojnë orientimin dhe preferencat e tyre seksuale për vitet që do pasojnë.

Ka disa nga ju që janë, siç i quajnë, transseksualë. Ata nuk janë as gay as lesbiane. Ndryshe nga shumica juaj, djem dhe vajza, që jeni të kënaqur me gjininë që keni, transseksualët janë të pakënaqur me gjininë që kanë. Ata ndjejnë se nuk i përkasin, emocionalisht, gjinisë anatomike të trupit të tyre. Atyre u duket sikur janë zënë në grackë në një trup të gabuar, që nuk është i gjinisë së tyre.

Njerëzit shpesh mendojnë se duke qëndruar pranë mësuesve, ose njerëzve të tjerë që janë gay, edhe ata do të bëhen homoseksualë. Kjo është, krejtësisht e gabuar. Është krejt normale, që disa të rinj, ndonjëherë, të eksperimentojnë marrëdhënie seksuale me shokë dhe shoqe të të njëjtit seks. Kjo do t’i ndihmojë ata të kuptojnë se çfarë janë. Duke thënë këtë, në asnjë mënyrë nuk rekomandoj, që të gjithë adoleshentët të eksperimentojnë marrëdhënie seksuale me të njëjtën gjini. E përsëris, kjo vlen vetëm për disa të rinj!

Ju duhet të dini se të gjitha format e marrëdhënieve seksuale, siç janë, masturbacioni reciprok, seksi oral, seksi anal, interkursa, puthjet, përkëdheljet, janë sjellje seksuale të sigurta për adoleshentët homoseksualë, ashtu siç janë të sigurta edhe për adoleshentët e drejtë.

Siç e theksova edhe më lart, nuk duhet të ngatërrohet orientimi seksual me politikat seksuale. Është e gabuar dhe false ideja, që  gratë që përkrahin lëvizjen feministe duhet të zgjedhin gra  për partnere seksuale. Sipas shumë studiuesve, kjo është një nga arsyet që janë rritur shumë rastet e marrëdhënieve lesbiane. Në favor të këtij opinioni është dhe fakti se deri sot, nuk ka asnjë të dhënë biologjike shkencore në favor të lesbianizmit. Kurrë, mos i u dorëzoni presioneve. Mësohuni të ndjeheni mirë me veten tuaj. Mund të duhet kohë për të njohur veten. Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka mënyra si ndjeni dhe veproni ju vetë. Ajo që mendojnë të tjerët, në krahasim me atë që mendoni dhe ndjeni ju për veten, nuk ka fare rëndësi.

Disa nga ju qëndrojnë, siç i thonë, të mbyllur në dollap. Ata jetojnë si gay, lesbiane, ose biseksualë të fshehur. E kuptoj arsyen pse ata zgjedhin ta mbajnë sekret identitetin e tyre seksual. Ata orientimin e tyre seksual ua shfaqin vetëm pak shokëve, ose fare pak prindërve. Ata duhet të gjejnë kurajën ta shfaqin orientimin e tyre seksual. Këtë duhet ta bëjnë    vetëm në ambiente që i mbështetin.

Adoleshentët e rinj që ndjejnë se janë gay ose lesbiane, bëjnë mirë të mos e afirmojnë dashurinë e tyre homoseksuale ende pa shkuar në gjimnaz. U lutem ta respektoni këtë këshillë: Prisni, që në kohën e duhur dhe në vendin e duhur të kuptoni kush jeni, heteroseksualë ose homoseksualë. Po qe se nxitoni të shfaqni prirjet tuaja seksuale para kohe, kjo mund të jete shkak për gabime qe do t’i vuani gjithë jetën.

Në vende të mëdha ka grupe adoleshentësh që organizohen nga gay-të dhe lesbianet, ku diskutojnë orientimin dhe preferencat e tyre seksuale. Në vendin tonë të tilla organizime nuk ka. Edhe pse thuhet që këto organizime janë shumë ndihmuese për adoleshentët, personalisht, dyshoj në vlerën e tyre dhe nuk do t’i rekomandoja.

Interneti është një burim i mirë informimi për seksualitetin. Asnjë adoleshent nuk duhet të mbetet në errësirë, lidhur me seksualitetin e tij. Gjithkush duhet të përpiqet të gjejë informacionin e kujdesshëm dhe ndihmues për këto çështje.

Sipas shumë studimeve, adoleshentët gay dhe biseksualë janë të predispozuar për tentativa vetëvrasëse. Këta adoleshentë duhet të bien në kontakt me  gay të tjerë të shëndetshëm, të cilët do të ofrojnë këshilla dhe inkurajim.

Dua ta theksoj edhe njëherë, askush nuk e zgjodhi vetë të jetë homoseksual, gay, lesbiane, ose biseksual. Homoseksualët dëshirojnë marrëdhënie seksuale të kënaqshme me seksin e njëjtë. Kjo është mënyra që ata zgjedhin për një jetë intime të mirë. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Këto veprime homoseksuale duhet t’i aprovojë edhe shoqëria. Ata nuk duhet të  bien ndesh me kulturën dhe traditën popullore të vendit. Çdo veprim që shkel rregullat dhe traditat e kulturës së vendit, e ka një çmim.  Hapat duhet të hidhen me kujdes.

Lidhur me martesat legale midis çifteve të të njëjtit seks, më duket se tradita dhe kultura jonë, akoma, nuk është e përgatitur ta pranojë këtë. Tek ne nuk është vetëm feja kundër martesave  homoseksuale. Këto lloj martesa janë akoma të papërshtatshme dhe të pambështetura nga shoqëria shqiptare. Kundërshtitë do të vazhdojnë edhe për shumë vite, madje edhe sikur ligjvënësit të bëjnë legjislacionin  që do t’u japë gay-ve dhe lesbianeve të njëjtat të drejta me heteroseksualët. Do të marrë kohë që këto martesa opinioni ynë shoqëror t’i pranojë.

Në qofte se legjislacioni nuk do të marrë parasysh traditën dhe kulturën kombëtare, pa dyshim, që do të hapen probleme të mëdha. Në fund të fundit, çdo popull meriton t’i respektohet ajo që beson më shumë. Ne nuk duhet të bëjmë, patjetër, atë që bën Suedia, ose Holanda dhe vende të tjera, pa pritur të vijë koha dhe zhvillimi për këtë. Gjithçka e sforcuar është me rreziqe.

Botuar në Dita

Burimi : www.alboz.co

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Close